We Aamra X3 fotoekrani1
Android Celulare e Tablet Recensione

We Aamra X3: A e kishit përfytyruar një smartfon nga Bangladeshi?

We Aamra X3: Kur ne mendojmë për vende të botës së tretë, ose nëse jo detyrimisht, për vende shumë të largëta, të varfëra, nuk e përfytyrojmë se këto vende mund të prodhojnë pajisje elektronike, të cilat imponojnë investime dhe zhvillim në teknologji. Pikërisht këtu gabojmë! Arsyet janë disa: Së pari, konkretisht janë pikërisht vende si Bangladeshi që duhet t’i prodhojnë këto pajisje, për të mbuluar tregun gjigand të tyre (Bangladeshi ka 163 milionë banorë), si dhe për ta arritur këtë mbulim tregu gjigand me sa më pak kosto (Bangladeshi ka një GDP të vogël per capita dhe një renditje nga fundi për HDI – Human Development Index); e si rrjedhim, nuk i përballon dot markat ‘e huaja’ të shtrenjta. Së dyti, parimisht, Azia në përgjithësi është parajsa e smartfonëve dhe teknologjisë.

We Aamra X3 fotodetaje1

Për këto arsye, Aamra X3 e prodhuesit We që do të analizojmë sot, është munduar t’i përafrohet smartfonëve të së njëjtës klasë së mesme (mid-range) të markave të tjera.

Gjenerata 3 e linjës X të markës Aamra të kompanisë We, vjen me dy veçori që tashmë janë standarde të telefonëve që prodhohen nga viti 2017 e në vazhdim. I pari është sistemi operativ. Pavarësisht se Aamra është një brand – markë produktet e së cilës janë diku midis rangut të ulët dhe atij mesatar, ato nuk vijnë me versione të vjetëruara të sistemit operativ Android.

Më konkretisht, me versionin Nougat 7.0Androidit.

E dyta është madhësia. We Aamra X3 ka një ekran me madhësi 5.5-inç, gjë që është e zakonshme sot, dhe nuk mund të konsiderohet më një telefon “i madh”. Nga njëra anë, sot ka dhe madje me shumicë smartfonë edhe më të mëdhenj se kaq. Nga ana tjetër, standardi i madhësisë 5.0-inç sa vjen e po pakësohet. Dhe ky trend po vazhdon me një kurbë rritëse. Dimensionet e smartfonit janë 144×72.6×8.9 milimetra. Pesha 171.5 gramë. Suporton dy karta SIM në madhësinë Nano dhe janë të dyja aktive.

We Aamra X3 fotodetaje2

We Aamra X3: Ekrani

Siç e cekëm sipërfaqësisht pakëz më sipër, We Aamra X3 ka një ekran me madhësi 5.5-inç. Teknologjia e ekranit në këtë rast është pak e ndryshme dhe po e shpjegojmë: shumë smartfonë përdorin teknologjinë e ekranit Gorilla Glass, e cila montohet mbi ekran dhe ofron mbrojtje. Në rastin konkret, për ekranin e Aamra X3 është përdorur teknologjia Concore Glass. Mbrojtja ndaj ekranit e ofruar është në të njëjtin nivel me atë që ofron Gorilla Glass, por ndryshimi është se mbrojtësi Concore bëhet një trup i vetëm me ekranin. Rrjedhimisht, mund të prodhohen ekrane më të hollë me të njëjtin nivel mbrojtjeje. Rezolucioni i ekranit është 1920×1080 piksela, FHD IPS. Dendësia e pikselave për inç është 400. Aspak keq!

We Aamra X3 fotodetaje3

We Aamra X3: Procesori

Smartfoni We Aamra X3 fuqizohet prej proçesorit katër-bërthamësh MT6737T 64-bit me shpejtësi 1.45 Gigaherz. Njësia e Përpunimit Grafik, shkurt karta grafike është Mali-T720MP2 me shpejtësi 600 Megaherz. Kujtesa e përkohshme RAM është në nivelet e 3GB-ëve, ndërsa përsa i përket kapacitetit të brendshëm të kujtesës, ai është në vlerat 32GB, gjithsesi i zgjerueshëm me anë të një karte të jashtme memorieje deri në 128GB.

We Aamra X3: Kamerat

Në pjesën e pasme gjendet një çift kamerash me lente përkatësisht në vlerat 13 megapiksel dhe 2 megapiksel. Ato shoqërohen me një blic LED. Karakterizohen nga një frekuencë standard e regjistrimit filmik, 30 korniza për sekondë (fps). Kamera e përparme është 8 megapiksel. Ndryshe nga fokusi me rregullim automatik i kamerave kryesore të pasme, fokusi i kamerës dytësore të përparme fatkeqësisht nuk është i tillë por është i fiksuar.

We Aamra X3 fotodetaje4

We Aamra X3 përmban sensorët kryesorë të një telefoni. Të tillët janë akselerometri, sensori i afërsisë me veshin (proximity), sensori i dritës së ambientit, xhiroskopi, magnetometri dhe sigurisht, sensori apo skaneri i shenjës së gishtit. Smartfoni nuk ka një portë 3.5 milimetërshe për kufjet ose bokset. Përsa u përket lidhjeve të tjera, ai përfshin USB-në e tipit C, USB On-The-Go dhe Bluetooth në versionin 4.0.

Bateria e smartfonit We Aamra X3 është e paheqshme. Ajo është e teknologjisë Litium-Polimer. Kapaciteti është 3000mAh (miliamper orë). Opsioni i karikimit të shpejtë (Quick Charging) nuk gjendet në këtë telefon.

We Aamra X3 shitet në çmimin 14990 Taka bangladeshas (BDT), ose këmbyer në monedhën europiane, 145.5 Euro.

Marin Kamberi
Ekonomist dhe përkthyes i apasionuar pas teknologjisë dhe sidomos pas smartfonëve. Gjeta hapësirën për të shkruajtur tek "ose.al - Shtëpia e teknologjisë", ku shpirti i skuadrës dhe pasioni ka formuar një portal pararojë për të gjithë shqiptarët.